Më 28 maj 2025, Albanian Water Partnership mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Monitorimi i Cilësisë dhe Sasisë së Ujit në Burime dhe Rezervuarë”, organizuar nga ALBCOLD në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare SONTEK & YSI – Xylem dhe SOMMER, me një eksperiencë të gjerë në fushën e monitorimit të ujit.
Ky aktivitet synoi të nxisë shkëmbimin e eksperiencave dhe informimin mbi teknologjitë më të fundit në monitorimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.
Në këtë takim AWP kontribuoi me një analizë të situatës mbi monitorimin e statusit të trupave ujorë tepër të modifikuar dhe artificial, siç janë digat dhe rezervuarët, në kuadrin e zbatimit të Direktivës Kuadër për Ujin (2000/60/EC) dhe ligjit nr.29/2024 “Për burimet ujore”. U trajtua rëndësia e përfshirjes së këtyre trupave ujorë në programet kombëtare të monitorimit duke pasur si objektiv jo thjesht përputhjen me standardet evropiane, por edhe përmirësimin real të cilësisë dhe menaxhimit të ujit.
Analiza theksoi se, ndonëse këto struktura kanë një regjim të modifikuar hidrologjik dhe ekologjik, ato janë pjesë integrale e ekosistemit ujor dhe duhet të vlerësohen përmes indikatorëve të përshtatur që synojnë “potencialin e mirë ekologjik”. Aktualisht në Shqipëri, numërohen mbi 350 diga të mëdha dhe 300 diga të vogla, të administruara nga subjekte të ndryshme përfshirë autoritete publike, bashki, ndërmarrje shtetërore dhe operatorë privatë, çka e bën procesin e monitorimit edhe më kompleks. Mungesa e një qasjeje të koordinuar dhe unifikuar në monitorim, e kapaciteteve laboratorike të mjaftueshme dhe shkëmbimit efektiv të të dhënave ndërinstitucionale, përbën një sfidë për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e përmirësimit të Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore, si një instrument bazë për identifikimin dhe monitorimin e trupave ujorë artificialë dhe tepër të modifikuar. Përfshirja e këtyre trupave ujorë në sistemet e monitorimit kombëtar kërkon jo vetëm harmonizim teknik, por edhe përmirësime në planifikimin institucional dhe qasjen ndërsektoriale.