Promovimi i qasjes WEFE NEXUS
Qasja WEFE NEXUS është një strategji gjithëpërfshirëse që njeh ndërvarësinë e ngushtë midis ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve. Në vend që këto sektorë të menaxhohen në mënyrë të fragmentuar, WEFE NEXUS promovon një qasje të integruar dhe të balancuar, me synim përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në Shqipëri, burimet ujore janë nën presion të shtuar si pasojë e urbanizimit të shpejtë, ndryshimeve klimatike, zhvillimit të hidroenergjisë dhe praktikave jo të qëndrueshme bujqësore. Kërkesa në rritje për ujë për hidrocentrale, ujitje dhe furnizim me ujë të pijshëm po e vështirëson menaxhimin e burimeve ekzistuese, ndërkohë që ndotja industriale, shkarkimi i ujërave të zeza të patrajtuara dhe shpyllëzimi po rrezikojnë ndjeshëm cilësinë e ujit. Për më tepër, ndryshimet klimatike po përkeqësojnë periudhat e thatësirës dhe ngjarjet ekstreme të motit, duke e bërë gjithnjë e më urgjente rishikimin e menaxhimit të ujit në të gjithë sektorët.
Nëse këto sfida nuk adresohen në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme, Shqipëria rrezikon të përballet me mungesë serioze uji, degradim të ekosistemeve dhe pasoja të rënda socio-ekonomike.
Për të përballuar këto sfida, Albanian Water Partnership (AWP) zbaton qasjen NEXUS nëpërmjet:
- Ndërlidhjes së sektorëve duke siguruara që politikat për ujin, energjinë, bujqësinë dhe mjedisin të jenë të harmonizuara dhe jo në kundërshtim me njëra-tjetrën.
- Optimizimit të përdorimit të ujit në bujqësi duke promovuar ujitjen me efikasitet të lartë dhe praktika të qëndrueshme bujqësore që ulin përdorimin e ujit dhe konsumimin e energjisë.
- Advokimit për hidroenergji të përgjegjshme duke nxitur planifikim të kujdesshëm të prodhimit të energjisë për të mbrojtur ekosistemet dhe për të ruajtur sasinë e ujit për sektorë të tjerë.
- Përmirësimit të zbatimit të politikave duke mbështetur përafrimin e legjislacionit dhe politikave kombëtare me direktivat e BE-së për menaxhim të integruar dhe afatgjatë të burimeve ujore.
- Fuqizimit të komuniteteve duke ofruar edukim, trajnime dhe mundësi për përfshirje, në mënyrë që komunitetet dhe aktorët lokalë të mund të përshtaten me sfidat që lidhen me ujin.