Knowledge Hub dhe ngritja e kapaciteteve
Jemi të angazhuar në krijimin e një platforme informuese për menaxhimin e burimeve ujore, ku ekspertë, vendimmarrës, studiues dhe përdorues të ujit mund të bashkëpunojnë për të shkëmbyer njohuri, për të pasur akses në kërkime shkencore dhe për të zbatuar praktikat më të mira. Kjo platformë do të shërbejë si një hapësirë e dedikuar për trajnime, rrjetëzim profesional dhe shkëmbim të dhënash, duke siguruar që risitë më të fundit në efikasitetin e përdorimit të ujit, qeverisjen dhe qëndrueshmërinë të jenë lehtësisht të aksesueshme.
Një nga pengesat kryesore për menaxhimin efektiv të ujit në Shqipëri është mungesa e ekspertizës dhe aftësive teknike brenda institucioneve, bizneseve dhe komuniteteve. Albanian Water Partnership (AWP) punon për të kapërcyer këtë hendek nëpërmjet:
- Ofrimit të programeve të specializuara të trajnimit për njësitë e qeverisjes vendore, subjektet e angazhuara në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe agjencitë mjedisore, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve në qeverisjen e ujit, menaxhimin e infrastrukturës dhe zbatimin e politikave;
- Edukimit të përdoruesve të ujit dhe komuniteteve mbi përdorimin e qëndrueshëm të ujit, parandalimin e ndotjes dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike;
- Kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të njohurive ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore dhe ekspertëve në sektorin e ujit, për të mbështetur vendimmarrjen e bazuar në fakte;
- Ofrimi i materialeve mësimore, si online ashtu edhe me prezencë fizike, për të mundësuar akses të lehtë në njohuri teknike dhe udhëzime mbi politikat për njerëz nga sektorë të ndryshëm.