PËRSHTATJA ME POLITIKAT E BE-SË
Direktiva Kuadër për Ujin (WFD) vendos një kuadër ligjor për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujërave sipërfaqësore të brendshme, ujërave nëntokësore dhe ujërave bregdetare. Dirketiva thekson rëndësinë e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore (MIBU) dhe një qasje të bazuar në nivel baseni. Me Vendimin nr. 696, datë 30.10.2019, “Për përcaktimin e kufijve territorialë dhe hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë”, për qëllime të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, territori i Shqipërisë ndahet në shtatë basene ujore kryesore.
Puna jonë përfshin:
- Zbatimin e praktikave të MIBU për të mbështetur qeverisjen e qëndrueshme të ujit.
- Angazhimin e aktorëve, përfshirë komunitetet lokale, politikëbërësit dhe përdoruesit e ujit, në proceset vendimmarrëse.
- Ofrimin e asistencës teknike për institucionet përgjegjëse pë menaxhimin e ujit.
Kjo direktivë fokusohet në parandalimin dhe kontrollin e ndotjes së ujërave nëntokësore, duke siguruar cilësi të lartë të ujit për konsum njerëzor dhe qëndrueshmëri të ekosistemeve.
Puna jonë përfshin:
- Promovimin e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (NbS) për të përmirësuar filtrimin natyror të ujërave nëntokësore.
- Zhvillimin e programeve të monitorimit të ujërave nëntokësore për të vlerësuar rreziqet nga ndotja.
- Rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e ujërave nëntokësore tek bizneset dhe sektori bujqësor.
Direktiva për Ujin e Pijshëm,e rishikuar, është kuadri kryesor i Bashkimit Evropian që siguron që uji i pijshëm të jetë i sigurt, i pastër dhe i aksesueshëm për të gjithë. Kjo direktivë forcon mbrojtjen e shëndetit përmes përditësimit të standardeve të cilësisë së ujit, zgjerimit të kërkesave për monitorim dhe forcim të masave për parandalimin e ndotjes që në burim.
Direktiva zbatohet për të gjithë burimet ujore të destinuara për konsum njerëzor, qoftë i furnizuar nga rrjeti,depozita apo shishe, si dhe për ujin e përdorur në prodhimin e ushqimeve.
Puna jonë përfshin:
- Mbështetja e zgjidhjeve infrastrukturore që përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të ujit të pijshëm.
- Ofrimi i trajnimeve dhe programeve të ndërgjegjësimit mbi sigurinë dhe monitorimin e cilësisë së ujit.
- Asistimi i bashkive për përputhjen me standardet evropiane për ujin e pijshëm.
- Promovimi i aksesit të barabartë në ujë të sigurt për të gjitha komunitetet.
Kjo direktivë përcakton udhëzime për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura, me qëllim parandalimin e ndotjes dhe mbrojtjen e trupave ujorë.
Puna jonë përfshin:
- Nxitjen e qasjeve të ekonomisë qarkulluese, përfshirë ripërdorimin e ujërave të ndotura dhe rikuperimin e lëndëve ushqyese.
- Inkurajimin e përdorimit të teknologjive të decentralizuara dhe inovative për trajtimin e ujërave.
- Bashkëpunimin me qeverisjet vendore për zbatimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura.
Kjo direktivë synon vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga përmbytjet për të minimizuar dëmet ndaj shëndetit të njeriut, mjedisit dhe infrastrukturës. Në Shqipëri, kjo direktivë është transpozuar përmes VKM nr. 1015, datë 16.12.2020 “Për përmbajtjen, zhvillimin dhe zbatimin e strategjisë kombëtare të menaxhimit të burimeve ujore, të planeve të menaxhimit të baseneve ujore dhe planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”. Po me këtë VKM është transpozuar edhe Direktiva 2009/90/KE për “Specifikimet teknike për analizat kimike dhe monitorimin e statusit të ujërave” dhe Direktiva 2006/118/KE “Për mbrojtjen e ujërave nëntokësore ndaj ndotjes dhe përkeqësimit”
Puna jonë përfshin:
- Zbatimin e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë për të rritur qëndrueshmërinë ndaj përmbytjeve.
- Hartimin e strategjive të zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në zonat e prekura nga përmbytjet.
- Angazhimin e komuniteteve përmes programeve të ndërgjegjësimit dhe përgatitjes ndaj përmbytjeve.
Direktiva 91/676/EEC “Në lidhje me mbrojtjen e ujërave nga ndotja e shkaktuar nga nitratet nga burimet bujqësore”, ndryshuar nga Rregullorja (EC) 1882/2003 dhe Rregullorja (EC) 1137/2008, synon të mbrojë cilësinë e ujit duke parandaluar nitratet nga burimet bujqësore që ndotin ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore dhe duke promovuar përdorimin e praktikave të mira bujqësore. Në Shqipëri, procesi i transpozimit të kësaj direktive është në fazat e para, ku vetëm 4 dispozita janë përfshirë deri tani në legjislacionin kombëtar.
Puna jonë përfshin:
- Promovimin e praktikave bujqësore të qëndrueshme që reduktojnë përdorimin e nitrateve.
- Trajnimin e fermerëve për përdorimin e përgjegjshëm të plehrave kimike.
- Nxitjen e strategjive të integruara për menaxhimin e lëndëve ushqyese.
Kjo direktivë siguron që ujërat bregdetare dhe të brendshme për not të përmbushin standarde të larta cilësie për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit. Direktiva është transpozuar plotësisht në Shqipëri përmes VKM-ve “Për miratimin e rregullores higjieno-sanitare” dhe “Për menaxhimin e cilësisë së ujërave për notim”, të miratuara në vitin 2010.
Puna jonë përfshin:
- Monitorimin e cilësisë së ujërave në zonat rekreative.
- Promovimin e turizmit miqësor me mjedisin për të mbrojtur zonat e notimit/larjes.
- Advokim për përmirësimin e infrastrukturës së trajtimit të ujërave të ndotura pranë zonave të larjes.
AGJENDA E GJELBËR
Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë strategjike që synon orientimin e rajonit drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe qëndrueshmërisë mjedisore. E miratuar në vitin 2020, ajo përputhet me objektivin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
Agjenda fokusohet në pesë shtylla kryesore: Veprimi për Klimën, Ekonomia Qarkulluese, Reduktimi i Ndotjes, Bujqësi dhe prodhim i qëndrueshëm i ushqimit, Mbrojtja e Biodiversitetit. Shqipëria, si pjesë e këtij angazhimi rajonal, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për t’u përafruar me këto shtylla. Vendi ka zhvilluar një kuadër të plotë rregullator për shërbimet e ujit dhe ka ndërmarrë ndryshime institucionale për të përmirësuar ofrimin e këtyre shërbimeve. Përpjekjet janë në vijim për të rritur performancën operacionale dhe financiare të ndërmarrjeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, me synimin për të siguruar akses të sigurt dhe të përballueshëm në ujë të pijshëm, deri në vitin 2030.
Menaxhimi i Burimeve Ujore – Zhvillimet kryesore dhe boshllëqet
- Një ligj i ri për Burimet Ujore (prill 2024) është miratuar për të përmirësuar përafrimin me Direktivën për Ujin e Pijshëm, Direktivën për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane dhe Direktivën për Nitratet.
- Me VKM nr. 73, datë 7.2.2018, është miratuar Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore 2018–2027. Gjithashtu, është miratuar Ligji nr. 15/2024 “Për Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”, i cili përafron pjesërisht Direktivën 2008/56/KE (Direktiva Kuadër për Strategjinë Detare). Ky ligj krijon kuadrin për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit Detar, që përfshin masa për ruajtjen dhe rehabilitimin e ekosistemeve detare, parandalimin e degradimit dhe reduktimin e ndotjes. Ligji ngarkon institucionet përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore, monitorimin e biodiversitetit detar dhe administrimin e zonave të mbrojtura detare. Gjithashtu, parashikon metodologjitë për vlerësimin e statusit mjedisor, vendosjen e objektivave dhe monitorimin e ligjshmërisë, duke siguruar paralelisht pjesëmarrjen publike dhe bashkëpunimin në përputhje me marrëveshjet mjedisore rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht Konventën e Barcelonës.
- Planet e Menaxhimit të Baseneve Lumore (PMBL) janë miratuar për basenet e lumenjve Drin-Buna, Seman, Ishëm, Erzen dhe Mat, ndërsa planet për Shkumbinin dhe Vjosën janë ende në proces hartimi.
Për basenet e Drin-Bunës dhe Semanit, është në zhvillim cikli i dytë i rishikimit të planeve ekzistuese të menaxhimit, ndërsa dokumentet paraprake jo-teknike mbi çështjet dhe sfidat kryesore të menaxhimit janë tashmë të hapura për konsultim publik deri në tetor 2025.
🔗 Drin-Buna
🔗 Seman
Përtej këtyre hapave pozitivë, sfida të konsiderueshme vijojnë të ndikojnë negativisht në zbatimin efektiv të menaxhimit të integruar të burimeve ujore. Ndër to përfshihen mungesa e burimeve financiare, kapacitetet e kufizuara menaxheriale dhe teknike, si dhe niveli i pamjaftueshëm i bashkëpunimit ndërsektorial dhe ndërinstitucional. - Përmbytjet – Harta e rrezikut nga përmbytjet është përfunduar për 96% të zonave të identifikuara si të rrezikuara, ndërsa hartat e riskut mbulojnë 84% të këtyre zonave. Me VKM nr. 499, datë 1.8.2024, është miratuar Plani i Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet për Zonat me Rrezik të Lartë në Drin-Buna 4, 5 dhe 6 (2024–2030), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të qëndrueshmërisë ndaj përmbytjeve.
- Furnizimi me ujë dhe kanalizimet – Është miratuar Strategjia Kombëtare për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet 2023–2030, por shërbimet përkatëse vijojnë të përballen me sfida të theksuara infrastrukturore, financiare dhe të zbatueshmërisë, duke kërkuar forcim të kapaciteteve institucionale dhe përmirësim të mekanizmave të zbatimit. Rreth 20% e popullsisë rurale ende nuk ka akses në rrjetin e furnizimit me ujë, ndërkohë që shumë operatorë të ujësjellës-kanalizimeve mbeten të varur financiarisht nga fondet e qeverisë. Fragmentimi i shërbimeve, mungesa e kapaciteteve teknike dhe menaxheriale, si dhe nivelet e larta të ujit të pa faturuar (non-revenue water), përbëjnë ndër sfidat më të mëdha në këtë sektor. Adresimi i këtyre problematikave është thelbësor për përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimit të furnizimit me ujë në Shqipëri.
- Për të përmbushur objektivat e përafrimit me acquis të BE-së, krijimi i një programi kombëtar për monitorimin e cilësisë së ujërave është i domosdoshëm. Një program i tillë do të mundësojë përmirësimin e koordinimit institucional, rritjen e transparencës dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies në sektor.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të)
- The Sustainable Development Goals (SDGs) are a universal call to action by the United Nations to end poverty, protect the planet, and ensure peace and prosperity for all by 2030. There are 17 goals and 169 targets, covering a broad range of issues—from health and education to climate action and sustainable use of natural resources.
Pse janë të rëndësishme OZHQ-të për ujin?
Uji është një element thelbësor për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Objektivi 6 (Ujë i pastër dhe kanalizime) i dedikohet posaçërisht garantimit të qasjes dhe menaxhimit të qendrueshem të burimeve ujore dhe shërbimeve higjieno-sanitare për të gjithë. Megjithatë, uji përbën një faktor kyç për arritjen e objektivave të tjerë, si ata për zhdukjen e varfërisë, luftën ndaj urisë, shëndetin publik, energjinë, qytetet e qëndrueshme, veprimin klimatik dhe ruajtjen e biodiversitetit.
Shqipëria i ka integruar OZHQ-të në dokumentet dhe strategjitë e saj kombëtare të zhvillimit, përfshirë edhe Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore (2018–2027). Nëpërmjet promovimit të një qeverisjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë të burimeve ujore, kjo strategji kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit, përmirësimin e mirëqenies sociale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Më konkretisht:
OZHQ 5 – Barazia Gjinore
- Strategjia garanton qasje të barabartë në shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizime, duke promovuar parimin e mosdiskriminimit në proceset vendimmarrëse, ofrimin e shërbimeve dhe pjesëmarrjen në qeverisjen e sektorit të ujit.
- Ajo inkurajon përfshirjen aktive të grave në qeverisjen e burimeve ujore dhe në proceset konsultuese me komunitetin gjatë hartimit dhe zbatimit të planeve të menaxhimit të baseneve ujore.
OZHQ 6 – Ujë i pastër dhe Kanalizime
- Duke punuar për t’u siguruar që më shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe të varfra, të kenë qasje të barabartë në ujë të pijshëm të sigurt.
- Strategjia mbështet përmirësimin e shërbimeve të kanalizimeve dhe integrimin e menaxhimit të ujërave të ndotura në zhvillimin urban.
- Promovohet përdorimi efikas i ujit në të gjithë sektorët, me theks të veçantë në bujqësi, përmes modernizimit të sistemeve të ujitjes dhe kontrollit të konsumit.
- Përmes hartimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore dhe zbatimit të qasjes së menaxhimit të integruar të burimeve ujore (MIBU), sigurohet një kuadër ligjor dhe institucional për qeverisjen e koordinuar dhe të qëndrueshme të burimeve ujore.
OZHQ 13 – Veprimi për Klimën
- Strategjia përfshin masa për menaxhimin e rreziqeve që lidhen me thatësirat dhe përmbytjet, dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit mbi ndikimet klimatike në burimet ujore.
- Gjithashtu mbështetet zhvillimi i sistemeve të monitorimit dhe mekanizmave të paralajmërimit të hershëm për përballimin e ngjarjeve ekstreme klimatike.
OZHQ 14 – Jeta nën Ujë
- Strategjia mbështet reduktimin e ndotjes në ekosistemet detare nëpërmjet përmirësimit të trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe forcimit të mbrojtjes ligjore të zonave bregdetare dhe detare përmes planifikimit të integruar hapësinor.
OZHQ 15 – Jeta në Tokë
- Strategjia kontribuon në mbrojtjen e ekosistemeve te ujrave te embla dhe përdorimin e tyre të qëndrueshëm, në përputhje me masat për të parandaluar degradimin e tokës dhe për të ruajtur biodiversitetin në basenet lumore.