Zgjidhje të Bazuara në Natyrë (NbS) dhe Infrastruktura “Gri & E Gjelbër” – Një e ardhme e sigurt për menaxhimin e ujit
Përballë sfidave të ndryshimeve klimatike, urbanizimit të shpejtë dhe degradimit mjedisor, Shqipëria po përballet gjithnjë e më tepër me rreziqe që lidhen me ujin, si përmbytjet, thatësirat dhe përkeqësimi i cilësisë së ujit. Infrastruktura gri tradicionale (si tubacionet dhe impiantet e trajtimit) shpesh nuk arrin të përballojë këto sfida—ajo është e kushtueshme, kërkon mirëmbajtje të lartë dhe nuk përshtatet lehtë me ndikimet klimatike.
Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë (NbS) dhe infrastruktura ‘Green-Grey’ ofrojnë një alternativë të qëndrueshme, me kosto më të ulët dhe të përshtatshme për t’u përballur me efektet e mundshme të ndryshimeve klimatike. Duke punuar në harmoni me natyrën, këto zgjidhje përmirësojnë sigurinë e ujit, rehabilitojnë ekosistemet dhe ulin kostot e infrastrukturës.
AWP mbështet aktivisht zbatimin e këtyre zgjidhjeve në Shqipëri, përmes:
- Rehabilitimit dhe mbrojtjes së zonave ujore natyrore – Kënetat, ligatinat dhe brigjet e lumenjve funksionojnë si filtra natyralë dhe barriera ndaj përmbytjeve. Ne punojmë për rehabilitimin e ekosistemeve të degraduara dhe promovojmë menaxhimin e integruar të baseneve ujore për të përmirësuar kapacitetin natyror të përthithjes së ujit gjatë përmbytjeve.
- Rritjes së qëndrueshmërisë së qyteteve ndaj prurjeve ujore – Rreshjet intensive në mjediset urbane mund të çojnë në përmbytje dhe ndotje. Ne promovojmë infrastrukturën urbane të gjelbër, si kopshte shiu, çati të gjelbra dhe trotuare të përshkueshme, për të ulur rrezikun e përmbytjeve, përmirësuar filtrimin e ujit dhe rimbushjen e ujërave nëntokësore.
- Integrimit të NbS në trajtimin e ujërave të ndotura – Në vend të mbështetjes vetëm tek impiantet e shtrenjta, ne mbështesim përdorimin e lagunave artificiale dhe filtrave natyrorë që pastrojnë ujin në mënyrë miqësore me mjedisin, duke reduktuar kostot dhe konsumin e energjisë.
- Zbutjes së ndikimeve të thatësirës dhe ndryshimeve klimatike – Nëpërmjet ripyllëzimit, mbrojtjes së tokës dhe aplikimit të sistemeve të zgjuara të ujitjes, ne ndihmojmë në rritjen e grumbullimit të ujit, reduktimin e avullimit dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë në zonat më të prekura nga thatësira.
- Përmirësimit të mbrojtjes bregdetare dhe detare – Erozioni bregdetar dhe depërtimi i ujërave të kripura paraqesin rrezik për ekosistemet dhe komunitetet përreth. Ne mbështesim mbrojtjen natyrore të bregdetit përmes mbjelljes së bimësisë autoktone dhe rehabilitimit të kënetave e ligatinave, si mënyra efektive për t’u përballur me ngritjen e nivelit të detit dhe ngjarjet ekstreme klimatike.